Vesti

LETËR E HAPUR: Kërkohet veprim urgjent institucional dhe llogaridhënie për mbrojtjen e gazetarëve, punonjësve të mediave dhe mbikëqyrësve të interesit publik në Shqipëri


4200-title

Drejtuar:

  • Z. Niko Peleshi, Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë

  • Z. Ervin Demo, Ministër i Brendshëm

  • Z. Toni Gogu, Ministër i Drejtësisë

  • Znj. Jorida Tabaku, Kryetare e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Median e Informimit Publik

  • Z. Fatmir Xhafaj, Kryetar i Komisionit Parlamentar për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale

  • Z. Ulsi Manja, Kryetar i Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike

  • Z. Olsian Çela, Prokuror i Përgjithshëm

  • Z. Skender Hita, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit

  • Z. Klevis Qose, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore

  • Z. Endrit Shabani, Avokat i Popullit i Shqipërisë

Kopje për: Znj. Sofia Moreira de Sousa, Ambasadore e BE-së në Shqipëri; Znj. Giulia Re, Shefe e Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë; Ambasadorin Michel Tarran, Shef i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

Lënda: Veprim urgjent institucional dhe llogaridhënie pas rasteve të përsëritura të dhunës dhe pengimit të gazetarëve dhe mbikëqyrësve të interesit publik

Të nderuar ministra, zoti Kryetar i Kuvendit, kryetarë të komisioneve dhe drejtues të institucioneve,

Ne, organizatat nënshkruese të kësaj letre, shprehim shqetësimin tonë të thellë për rastet e përsëritura të dhunës dhe pengimit të gazetarëve dhe punonjësve të mediave gjatë mbulimit të protestave në Shqipëri, si dhe për mungesën e reagimit efektiv institucional dhe të masave parandaluese, pavarësisht paralajmërimeve të njëpasnjëshme publike.

Ngjarjet e 13 tetorit 2026 në Tiranë, gjatë të cilave disa gazetarë raportuan se ishin sulmuar fizikisht dhe penguar nga efektivë të policisë, ndërsa tre punonjës të mediave patën nevojë për trajtim spitalor, kërkojnë veprim urgjent. Veçanërisht alarmant është rasti i Izmir Akullit, kryeredaktor i Dosja.al, i cili raportoi se ishte rrahur nga efektivë të policisë teksa dokumentonte veprimet e tyre dhe më pas kishte pasur nevojë për trajtim spitalor.

Këto ngjarje vijnë pas incidenteve të dokumentuara në korrik, ndalimit dhe pengimit të përsëritur të gazetares së Citizens.al, Vjolanda Peca, përfshirë mbajtjen e telefonit të saj nga policia në shtator (rast i regjistruar edhe në platformën e Këshillit të Evropës për Sigurinë e Gazetarëve), si dhe pengimit të ekipeve të identifikueshme të mediave më 8 tetor.

Përsëritja e këtyre incidenteve, pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme publike dhe miratimit të Udhëzimeve të Policisë së Shtetit për Sigurinë e Gazetarëve në maj të vitit 2025, ngre shqetësime serioze për hendekun mes angazhimeve institucionale dhe zbatimit të tyre në praktikë. Ajo kërkon gjithashtu një shpjegim të qartë publik për masat e ndërmarra pas incidenteve të mëparshme dhe arsyet pse ato nuk kanë arritur të parandalojnë dhunën dhe pengimin e mëtejshëm.

Këto incidente duhen parë edhe në kontekstin e presioneve të vazhdueshme që po ushtrohen mbi lirinë e medias dhe hapësirën qytetare në Shqipëri. Fushatat denigruese, frikësimi, sulmet me bazë gjinore, kufizimet që prekin mediat dhe llogaritë qytetare në platformat digjitale, pengesat për qasjen në informacion me interes publik dhe kufizimet ligjore të propozuara ndaj raportimit po krijojnë një mjedis gjithnjë e më të vështirë për mbikëqyrjen e pavarur. Ndikimi i akumuluar i këtyre presioneve rrezikon të dekurajojë raportimin, kritikën publike dhe pjesëmarrjen qytetare, duke dobësuar aftësinë e gazetarëve dhe shoqërisë civile për t’i kërkuar llogari autoriteteve publike.

Detyrimi i shtetit për të mbrojtur të drejtat themelore shtrihet edhe te gazetarët, kameramanët, fotoreporterët, gazetarët e pavarur, mbrojtësit e të drejtave të njeriut, vëzhguesit e pavarur të protestave dhe aktorët e tjerë të shoqërisë civile që dokumentojnë çështje me interes publik dhe angazhohen për to. Ata duhet të jenë në gjendje t’i ushtrojnë veprimtaritë e tyre legjitime pa dhunë, frikësim apo ndërhyrje të paligjshme.

Prandaj, u bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse të ndërmarrin veprime urgjente dhe të sigurojnë llogaridhënie, në përputhje me kompetencat përkatëse:

  1. Policisë së Shtetit i bëjmë thirrje të trajtojë urgjentisht rastet e raportuara të dhunës dhe pengimit të gazetarëve dhe ekipeve të mediave gjatë protestave të 13 tetorit 2026, të sqarojë publikisht rrethanat e incidenteve dhe të sigurojë ruajtjen e të gjitha provave përkatëse dhe vënien e tyre në dispozicion të autoriteteve kompetente hetimore. Gjithashtu, kërkojmë marrjen e menjëhershme të masave parandaluese, zbatimin e plotë të Udhëzimeve për Sigurinë e Gazetarëve dhe garantimin e raportimit të sigurt e pa pengesa, si dhe të monitorimit të pavarur të tubimeve publike, veçanërisht gjatë përdorimit të masave për kontrollin e turmave.

  2. Ministrisë së Brendshme i bëjmë thirrje të trajtojë akuzat e përsëritura për përdorim të tepruar dhe joproporcional të forcës nga policia, të shqyrtojë reagimin institucional ndaj incidenteve të dokumentuara që nga korriku i vitit 2026 dhe të shpjegojë publikisht masat e marra për të adresuar mangësitë në sjelljen, mbikëqyrjen dhe llogaridhënien policore, si dhe për të parandaluar përsëritjen e tyre.

  3. Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore i bëjmë thirrje të zhvillojë hetime të shpejta, të pavarura dhe efektive për rastet e raportuara të dhunës dhe pengimit nga policia, përfshirë incidentet e 13 tetorit dhe rastet e dokumentuara më herët, si dhe të sigurojë që rastet kur dyshohet për vepra penale t’u referohen autoriteteve kompetente të prokurorisë.

  4. Prokurorive kompetente u bëjmë thirrje të hetojnë pa vonesë, në mënyrë të pavarur dhe efektive, veprat e dyshuara penale të kryera ndaj gazetarëve, përfshirë gjatë ngjarjeve të 13 tetorit, dhe të kërkojnë llogari nga personat përgjegjës në përputhje me ligjin.

  5. Ministrisë së Drejtësisë i bëjmë thirrje që, brenda kompetencave të saj, të vlerësojë dhe të forcojë garancitë ligjore për mbrojtjen efektive të gazetarëve, punonjësve të mediave dhe mbikëqyrësve të interesit publik nga dhuna, frikësimi dhe pengimi gjatë ushtrimit të detyrës, si dhe të sigurojë qasje në mjete juridike efektive.

  6. Avokatit të Popullit i bëjmë thirrje të shqyrtojë në mënyrë të pavarur rastet e përsëritura të dhunës dhe pengimit të raportuar nga policia ndaj gazetarëve dhe mbikëqyrësve të interesit publik gjatë protestave, të vlerësojë respektimin e standardeve për të drejtat themelore dhe të nxjerrë rekomandime për parandalimin e shkeljeve të mëtejshme.

Gjithashtu, i bëjmë thirrje Kuvendit të Shqipërisë që të ushtrojë përgjegjësitë e tij mbikëqyrëse duke organizuar një seancë dëgjimore parlamentare për incidentet e përsëritura që prekin gazetarët dhe mbikëqyrësit e interesit publik, reagimin e institucioneve kompetente dhe zbatimin e mekanizmave ekzistues mbrojtës. Në këtë seancë duhet të marrin pjesë autoritetet përgjegjëse dhe përfaqësues të gazetarëve e shoqërisë civile. Përfundimet dhe rekomandimet duhet të bëhen publike dhe të ndiqet zbatimi i tyre.

U bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse të raportojnë publikisht për veprimet e ndërmarra, rezultatet e tyre dhe masat e marra për të parandaluar përsëritjen e incidenteve të ngjashme.

Gjithashtu, i bëjmë thirrje Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës dhe OSBE-së që t’i ndjekin nga afër këto zhvillime dhe t’i ngrenë këto shqetësime në komunikimin e tyre me autoritetet shqiptare. Mbrojtja efektive e gazetarëve, liria e shprehjes, llogaridhënia institucionale dhe pjesëmarrja kuptimplotë qytetare janë pjesë thelbësore e angazhimeve të Shqipërisë në kuadër të Grupkapitullit 1 – Themeloret, veçanërisht Kapitullit 23 për Gjyqësorin dhe të Drejtat Themelore. Përparimi drejt anëtarësimit në BE duhet të vlerësohet jo vetëm në bazë të angazhimeve ligjore, por edhe të zbatimit të tyre efektiv.

Përgjegjësia për ruajtjen e rendit publik nuk mund të justifikojë përdorimin joproporcional të forcës, dhunën apo ndërhyrjen në raportimin e pavarur dhe monitorimin legjitim të çështjeve me interes publik. Dhuna ndaj gazetarëve, pavarësisht se nga kush ushtrohet, është e papranueshme. Kur incidentet përsëriten pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme, efektiviteti i mekanizmave institucionalë të mbrojtjes dhe llogaridhënies bëhet çështje urgjente me interes publik.

Siguria e gazetarëve dhe aftësia e qytetarëve dhe shoqërisë civile për të mbikëqyrur autoritetet publike janë thelbësore për llogaridhënien demokratike.

Shprehim solidaritetin tonë me gazetarët, punonjësit e mediave, mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe mbikëqyrësit e interesit publik që përballen me dhunë, frikësim apo pengim. Mbetemi të përkushtuar në mbrojtjen e sigurisë, lirive themelore dhe të drejtës së tyre për të mbikëqyrur autoritetet publike pa frikë dhe pa rrezikuar hakmarrjen.

Me respekt,

Organizatat nënshkruese

International Press Institute (IPI)

European Federation of Journalists (EFJ)

Committee to Protect Journalists (CPJ)

Reporters Without Borders (RSF)

Osservatorio Balcani Caucaso Transeuropa (OBCT)

Free Press Unlimited (FPU)

Rrjeti SafeJournalists

  • Shoqata e Gazetarëve të Shqipërisë

  • Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

  • Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë

  • Shoqata e Gazetarëve të BH-së

  • Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë

  • Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë

  • Sindikata e Mediave të Malit të Zi

Organizatat e shoqërisë civile në Shqipëri

  1. Qendra për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV)

  2. Gratë Shqiptare në Audiovizual (AWA)

  3. Këshilli Shqiptar i Medias (KSHM)

  4. Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore (ACQJ)

  5. Qendra Res Publica

  6. Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë (APJA)

  7. Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – Shqipëri (BIRN Albania)

  8. Drejtësi Sociale

  9. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH)

  10. Instituti Shqiptar i Medias (AMI)

  11. Partners Albania për Ndryshim dhe Zhvillim

  12. Rezistenca Qytetare

  13. Instituti i Studimeve Politike (ISP)

  14. Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG)

  15. Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM)

  16. Citizens.al

Share this Post: