Teknologjia po merr me vete edhe fushat e gjelbra
Shkruan: Valona Hasani
Mes tokës së punuar nga duart e fermerëve me vegla të ndryshme, dhe epokës që i përket teknologjisë, bujqësia në Kosovë prej një kohe ndodhet në një udhëkryq, aty ku tradicionalja po tkurret për t’i lënë hapësirë modernizimit. Ky transformim po vërehet gjithnjë e më shumë në parcelat e fermerëve të rinj, të cilët po eksperimentojnë me teknologji të reja dhe mënyra moderne të kultivimit.
Njëri prej tyre është fermeri Gzim Hyseni nga Lupçi i Podujevës, i cili kultivon rreth pesë hektarë me mjedra. Ai tregon se vitet e fundit ka nisur të investojë në rrjeta mbrojtëse në tokën e tij.
“Me rrjetat mbrojtëse të mjedrave kemi filluar vitin e kaluar me një projekt të IADK-së. Për shkak të kostos së lartë nuk i kemi vendosur në të gjithë parcelën. Fillimisht i testuam në një rresht prej 40 metrash dhe pamë se ka ndryshime dhe se ia vlen. Sidomos pasi klima vitet e fundit ka ndryshuar, temperaturat janë shumë të larta, ndërsa reshjet gjatë verës janë të pakta”, thotë ai për Gazetën Express.
Përveç ndryshimeve që po vërehen në terren, edhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural vlerëson se të rinjtë po luajnë rol kyç në transformimin e sektorit.
“Vitet e fundit është vërejtur një rritje graduale e përdorimit të sistemeve të automatizuara të ujitjes, aplikacioneve për menaxhimin e fermës, monitorimit digjital të kulturave bujqësore, si dhe teknologjive të tjera të bazuara në të dhëna. Këto praktika janë më të përhapura në fermat me orientim tregtar dhe potencial të lartë zhvillimi, duke treguar se të rinjtë mund të luajnë një rol kyç në modernizimin dhe transformimin e sektorit bujqësor në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e ministrisë për Gazetën Express.
Duart e njeriut po zëvendësohen nga makineritë moderne
Në parcelat bujqësore, dikur shiheshin gjurmët e çizmeve të fermerëve dhe punëtorëve që për çdo stinë të korrash punonin tokën me duart e tyre. Sot, në epokën digjitale, ato po zëvendësohen nga gjurmët e rrotave të makinerive moderne të cilët kryejnë punën e shumë punëtoreve njëherësh.
Këtë ndryshim po e përjeton edhe fermeri Gzim Hyseni, i cili tregon se si teknologjia po ndikon në mënyrën e punës në bujqësi
“Teknologjitë e reja e kanë zvogëluar numrin e punëtorëve për shkak të pajisjeve moderne dhe besoj se në të ardhmen do ta zvogëlojnë edhe më shumë, duke qenë një ndihmë e madhe për bujqësinë”, shton ai.
Megjithatë, jo të gjitha proceset bujqësore mund të automatizohen. Nga organizata Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës, Basri Hyseni shpjegon se në pemëtari dhe perimtari, disa procese si vjelja e frutave dhe perimeve vazhdojnë të varen ende nga puna manuale. Ndërkohë, hapa të rëndësishëm janë bërë në mekanizimin e proceseve të tjera, si ujitja pikë-pikë dhe përdorimi i folieve mbuluese, të cilat kanë reduktuar nevojën për punë të rënda fizike.
Krahas përpjekjeve të fermerëve për t’u përshtatur me këtë realitet të ri përdorimi i teknologjisë në bujqësi mbetet i kufizuar, interesimi po rritet. Sipas Programit për Bujqësi Digjitale 2025–2028 vetëm 13 për qind e fermerëve përdorin aktualisht teknologji të reja, ndërsa 72 për qind shprehen të gatshëm t’i adoptojnë në të ardhmen.
Të rinjtë po sjellin inovacion dhe praktika moderne në bujqësinë e Kosovës
Bujqësia në Kosovë po ndryshon edhe përmes një brezi të ri fermerësh, të cilët po sjellin më shumë teknologji, inovacion dhe qasje moderne në menaxhimin e fermave.
Sipas ministrisë, gjenerata e re mund të ndikojë në modernizimin e sektorit përmes përdorimit më të gjerë të teknologjive digjitale dhe zgjidhjeve inovative në menaxhimin e fermave.
“Aftësitë e tyre në përdorimin e teknologjisë dhe qasja më e lehtë në informacion u mundësojnë të adoptojnë praktika më efikase të prodhimit dhe menaxhimit. Përmes aplikacioneve për planifikimin e prodhimit, monitorimin e kushteve klimatike, menaxhimin e inputeve bujqësore, sistemeve të automatizuara të ujitjes dhe analizës së të dhënave, të rinjtë mund të kontribuojnë në optimizimin e proceseve të prodhimit, uljen e kostove dhe shfrytëzimin më efikas të burimeve.”
Të njëjtin mendim e ndan edhe asistentja në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë, Lindita Ibishi. Ajo thotë se të rinjtë janë më të gatshëm të sfidojnë praktikat tradicionale.
“Të rinjtë janë më të gatshëm të vënë në dyshim praktikat e trashëguara, të kërkojnë informacion, të aplikojnë standarde cilësie dhe të orientohen drejt eksportit. Megjithatë, do të isha e sinqertë se ky potencial ende nuk po shfrytëzohet sa duhet, sepse një pjesë e madhe e të rinjve largohen ose e shohin bujqësinë si zgjidhje të fundit. Aty ku rinia takohet me përkrahjen e duhur, ndryshimi është i dukshëm dhe i shpejtë.”
Përveç kësaj edhe eksperti i bujqësisë Fatmir Selimi vlerëson se roli i brezit të ri është vendimtar në transformimin e bujqësisë në Kosovë.
“Roli i gjeneratës së re është vendimtar në transformimin e bujqësisë tradicionale në Kosovë. Përgjatë viteve, gjenerata e re ka testuar tokën dhe ujin, kultura dhe varietete të reja që përshtaten me kushtet klimatike, teknologji të reja, ka zhvilluar paketime sipas kërkesave të tregut, ka ngritur kapacitete përpunimi dhe ka gjetur tregje të reja në rajon dhe Bashkimin Evropian. Mirëpo puna më e madhe është bërë në ngritjen e dijes dhe zhvillimin e aftësive për të bërë biznes.”
Inxhinieri i teknologjisë ushqimore, Flakron Ahmeti, vlerëson se njohuritë e reja dhe afërsia me teknologjinë po krijojnë mundësi për një bujqësi më cilësore dhe më efikase.
“Gjenerata e re ka një rol të rëndësishëm sepse sjell ide të reja, njohuri dhe dëshirë për ndryshim. Të rinjtë janë më afër teknologjisë dhe mund të ndihmojnë në përdorimin e metodave më moderne në bujqësi. Njohuritë në teknologjinë ushqimore dhe bioteknologji po ndihmojnë në rritjen e cilësisë së produkteve, ruajtjen më të mirë të ushqimit dhe krijimin e produkteve më të sigurta. Gjithashtu ndihmojnë që prodhimi të jetë më efikas”, shprehet Ahmeti për Gazetën Express.
Ndërsa studentja e Masterit në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë, Sara Gojnovci, vlerëson se fermerët e rinj po e ndërthurin përvojën e brezave të kaluar me njohuritë shkencore dhe mjetet moderne digjitale.
“Bujqësia tradicionale është mbështetur kryesisht në përvojën që fermerët e kanë fituar duke punuar ndër vite, ndërsa tani gjenerata e re po kombinon përvojën familjare me njohuritë shkencore dhe teknologjinë. Shumë fermerë të rinj përdorin aplikacione për planifikimin e punëve në fermë, sisteme inteligjente të ujitjes, dronë për monitorimin e kulturave dhe analiza të të dhënave për të optimizuar prodhimin.”
Mungesa e fuqisë punëtore mbetet sfidë
Ministria e Bujqësisë thotë se mungesa e punëtorëve, sidomos gjatë punëve sezonale, mbetet një nga vështirësitë më të mëdha.
“Një nga sfidat kryesore me të cilat përballet sektori i bujqësisë në Kosovë është mungesa e fuqisë punëtore, veçanërisht gjatë periudhave intensive të punëve sezonale. Kjo situatë është rezultat i migrimit të popullsisë rurale drejt zonave urbane, emigrimit të fuqisë punëtore jashtë vendit, si dhe zvogëlimit të interesimit të të rinjve për t’u angazhuar në aktivitete bujqësore.”
Të njëjtin shqetësim e ndajnë edhe nga kompania Bliff Organic.
“Po, në vitet e fundit është bërë gjithnjë e më e vështirë të gjenden të rinj të interesuar për kultivim dhe për sektorin e bujqësisë në përgjithësi. Kjo vjen si pasojë e ndryshimeve në stilin e jetesës dhe prioriteteve të brezave të rinj, të cilët gjithnjë e më pak e shohin bujqësinë si një mundësi tërheqëse për zhvillimin e karrierës së tyre. Si rezultat, sektori po përballet me sfida në sigurimin e fuqisë së re punëtore.”
Ndryshe paraqitet situata në kompaninë “Receta e Gjyshes”, ku mungesa e punëtorëve nuk shihet si problem.
“Fatmirësisht nuk kemi probleme me mungesën e fuqisë punëtore. Rreth 80 për qind e stafit janë gra, kryesisht amvise, të cilat nuk kanë pretendime të largohen jashtë vendit.”
Kjo mungesë e fuqisë punëtore nuk po mbetet vetëm një shqetësim për gjetjen e punëtorëve sezonal, por po ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si organizohet puna në ferma. Basri Hyseni nga IADK thekson se largimi i të rinjve nga zonat rurale po krijon vështirësi në procese të rëndësishme të prodhimit bujqësor, duke i shtyrë fermerët të kërkojnë alternativa përmes mekanizimit dhe teknologjisë.
Një analizë e organizatës Democracy Plus (D+), e publikuar në vitin 2023 mbi punësimin sezonal në sektorin e bujqësisë në Kosovë tregon se fermerët raportojnë mungesë të vazhdueshme të fuqisë punëtore, pavarësisht rritjes së pagesës ditore. Sipas tyre, paga ditore për punëtorët sezonalë është rritur nga rreth 10 euro në 23–30 euro, por edhe kështu është bërë e vështirë të gjenden punëtorë. Si arsyet kryesore përmenden emigrimi, lëvizja nga zonat rurale në ato urbane dhe mungesa e interesimit të të rinjve për punët bujqësore.
Fermerët e moshuar përballë sfidave të bujqësisë moderne
Përvoja e fermerëve të moshuar është një vlerë e madhe për bujqësinë, pasi ata bartin njohuri dhe tradita të krijuara ndër vite. Megjithatë, zhvillimi i teknologjive të reja dhe ndryshimi i mënyrës së prodhimit po sjellin sfida për këtë brez. Këto ndryshime kanë bërë që shumë fermerë të përballen me vështirësi në përshtatjen me kërkesat e reja të bujqësisë moderne.
Sipas MBPZHR-së, fermerët më të moshuar përballen me vështirësi në procesin e adoptimit të praktikave moderne bujqësore, veçanërisht për shkak të nivelit më të ulët të aftësive digjitale, qasjes së kufizuar në trajnime të specializuara dhe informacion teknik, si dhe hezitimit për të ndryshuar praktikat tradicionale të prodhimit të përdorura për shumë vite.
Të njëjtin qëndrim e ndan edhe Basri Hyseni nga IADK, i cili argumenton se fermerët, veçanërisht ata të moshës së shtyrë, përballen me sfida në përshtatjen me teknikat dhe teknologjitë e reja në bujqësi.
“Ekziston një dallim substancial, i cili shprehet kryesisht në zbatimin e teknikave dhe teknologjive inovative, si mbjellja në serra, përdorimi i ujitjes së mençur, mulçerimi dhe sistemet automatike në fermat blegtorale. Këto investime inovative nuk kanë qenë të pranishme para luftës së fundit në Kosovë.”
Plakja e fuqisë punëtorë
Plakja e popullsisë bujqësore po e thellon edhe më tej sfidën për zhvillimin dhe modernizimin e sektorit të bujqësisë në Kosovë. Të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) rreth 69 për qind e bartësve të fermave janë mbi moshën 45 vjeç, ndërsa të rinjtë nën moshën 25 vjeç përbëjnë vetëm rreth 2.4 për qind. Ky trend tregon një përfshirje të ulët të gjeneratave të reja në bujqësi dhe paraqet një sfidë të rëndësishme për vazhdimësinë, inovacionin dhe zhvillimin afatgjatë të sektorit.
Sipas Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, plakja e popullsisë së fermerëve paraqet një sfidë për modernizimin e sektorit, ndërsa përfshirja e të rinjve konsiderohet thelbësore për rritjen e produktivitetit, konkurrueshmërisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë në Kosovë.
Përballë këtyre sfidave, ministria e konsideron përfshirjen e të rinjve në bujqësi si një mundësi për të sjellë më shumë inovacion, përdorim të teknologjisë dhe qasje bashkëkohore në menaxhimin e fermave.
“Përfshirja e të rinjve në sektorin bujqësor është thelbësore për modernizimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë në Kosovë”.
Në fund të fundit, edhe arat po ndryshojnë nga rrënja
Përfshirja e brezit të ri shihet si një mundësi për të sjellë ndryshime në mënyrën e prodhimit dhe për ta afruar bujqësinë me teknologjinë. Inxhinieri i teknologjisë ushqimore, Flakron Ahmeti, thekson se e ardhmja e sektorit lidhet ngushtë me modernizimin dhe përdorimin e teknologjisë.
“E ardhmja e bujqësisë varet nga modernizimi dhe përdorimi i teknologjisë. Gjenerata e re mund të ndihmojë duke sjellë ndryshime, njohuri dhe mënyra më të mira punë.”
Kjo qasje përputhet edhe me drejtimin që kanë marrë politikat zhvillimore në vend, ku modernizimi i bujqësisë po shihet si një proces i domosdoshëm për rritjen e efikasitetit dhe konkurrueshmërisë së sektorit. Strategjia për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2022–2028 e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e vendos inovacionin, përdorimin e teknologjive moderne dhe zhvillimin e një sektori më konkurrues ndër prioritetet kryesore të bujqësisë në Kosovë.
Por transformimi i sektorit nuk shihet vetëm në dokumentet institucionale, ai po vërehet edhe te bizneset dhe organizatat që veprojnë drejtpërdrejt në bujqësi.
Sipas Bliff Organic, një përfshirje më e madhe e të rinjve do ta bënte më premtuese të ardhmen e bujqësisë dhe industrisë së bimëve mjekësore në Kosovë, pasi ata sjellin energji të re, ide inovative dhe gatishmëri për të përdorur teknologji moderne, duke ndihmuar në rritjen e produktivitetit, cilësisë dhe konkurrueshmërisë së sektori
Roli i të rinjve në transformimin e bujqësisë shihet si vendimtar edhe nga eksperti i bujqësisë, FatmirSelimi.
“E ardhmja e bujqësisë në Kosovë varet nga njerëzit së pari e pastaj nga burimet natyrore, toka, uji dhe ajri. E gjithë kjo lidhet me sjelljen e inovacionit dhe teknologjisë në sektor. Gjenerata e re është e gatshme për ndryshim dhe ne duhet të gjejmë mënyra se si ta stimulojmë dhe ta bëjmë bujqësinë atraktive si për djem ashtu edhe për vajza.”
Një perspektivë të tillë e ndan edhe studentja e Fakultetit të Bujqësisë, e cila konsideron se teknologjitë digjitale po e bëjnë bujqësinë më efikase dhe më tërheqëse për brezin e ri.
“Teknologjitë digjitale po ndryshojnë mënyrën se si menaxhohen fermat dhe kjo po reflektohet gradualisht edhe në Kosovë. Ato ndihmojnë në uljen e kostove, rritjen e rendimenteve dhe e bëjnë bujqësinë më tërheqëse për të rinjtë, por për zbatimin e tyre nevojiten investime, trajnime dhe mbështetje institucionale.”
E ardhmja e bujqësisë nuk është vetëm çështje e tokës, por edhe e njohurive, teknologjisë dhe njerëzve që do ta drejtojnë atë.
*Ky artikull është realizuar në kuadër të programit EREA që implementohet nga Caritas-i Zviceran dhe financohet nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim.











